Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ua ka tërhequr vërejtjen anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës se dorëheqjet e tyre dhe zëvendësimi i u.d kryeprokurorit të shtetit nuk janë të mirëpritura.
Përmes një letre që i ka dërguar Këshillit Prokuroria të Kosovës (KPK) ka sqaruar se nismat për dorëheqjet e parakohshme të bashkërenduara të anëtarëve të Këshillit, duke tentuar të ruhet përbërja aktuale dhe diskutimet për zëvendësimet e mundshme të ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit do të minonin qëllimin dhe efektivitetin e legjislacionit.
Ndryshe Instituti i Kosovës për Drejtësi gjithashtu përmes reagimit të datës 22 maj 2025 kishte mirëpritur reformën në sistemin prokurorial, por duke kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të mos ndërmarrë veprime që minojnë këtë reformë të përcaktuar nga ligji i ri.
Lidhur më këtë situatë ka reaguar edhe BE duke kërkuar që të mos minohet ligji i ri i KPK-së.
“Megjithatë, ndërkohë që jemi në pritje të hyrjes në fuqi të ligjit të ri si edhe rishikimit vijues nga Komisioni i Venedikut në qershor, jam njoftuar për disa zhvillime për keqardhje. E kuptoj që ka diskutime për dorëheqje të parakohshme të bashkërenduar të anëtarëve të Këshillit në mënyrë që të ruhet përbërja aktuale e çekuilibruar e Këshillit dhe të vonohet zbatimit i reformës. Po ashtu e kuptoj që ka diskutime lidhur me zëvendësimin e mundshëm të Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, para hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Është e çartë që këto nisma do ta minonin qëllimin dhe efektivitetin e legjislacionit të ri dhe rrjedhimisht të sundimit të ligjit”, thuhet në letrën e dërguar anëtarëve të KPK-së që “Betimi për Drejtësi” e ka siguruar.
Sipas BE-së këto tendenca janë të qëllimshme dhe pengojnë reformën në drejtësi