Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për hartimin e planit hapësinor për kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Ministri në detyrë i Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit Liburn Aliu, tha se afati i tij i zbatimit është së paku tetë vjet.
“Ky dokument përbën një nga aktet më të rëndësishme strategjike në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë historike të lidhur ngushtë me identitetin kombëtar, të ndërlidhur me planin hapësinor.
Plani hapësinor do të ndërtohet në kuadër të kontratës për hartimin e master planit për ndërtimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Afati i tij i zbatimit është së paku 8 vjet”, tha Aliu.