Policia në Gjilan njofton se pas një hetimi të thellë ka realizuar me sukses një operacion policor, duke arrestuar 15 persona të dyshuar.
Sipas komunikatës së Policisë, arrestimet janë kryer për dyshimin e veprave penale: “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rremë”, “Keqpërdorim i kartelave bankare dhe të kreditit” si dhe “Mashtrim kompjuterik”.
“Të dyshuarit dyshohet se gjatë periudhave të ndryshme kohore kanë përdorur në mënyrë të kundërligjshme të dhëna të ndryshme bankare, duke shkaktuar dëme materiale për qytetarë të ndryshëm,” thuhet në njoftim.
Të gjithë të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan thekson se do të vazhdojë me përkushtim identifikimin dhe arrestimin e personave që përdorin teknologjinë për të cenuar sigurinë financiare të qytetarëve.
Policia apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal gjatë përdorimit të kartelave bankare dhe të raportojnë çdo veprim të dyshimtë në numrin 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.