Komuna e Dragashit ka ndërmarrë nismën për bashkëpunim të ndërsjellë si dhe binjakëzim me Komunën e Purkesdorfit në Austri.
Madje propozimi për nxjerrjen e aktit përkatës është futur në rendin e ditës e seancës së pestë të këtij viti të Kuvendit të Komunës, që pritet të mbahet me datën 2 qershor 2025.
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Dragashit, Arijeta Skeraj ka ftuar mbledhjen e radhës me pesë pika të rendit të ditës.
“Propozim Vendim për miratimin e nismës për bashkëpunimin komunal ndërkombëtar dhe fillimin e procedurave për binjakëzim ndërmjet Komunës së Dragashit dhe Komunës Purkesdorf-Austri”, thuhet në pikën e dytë të rendit të ditës.

Drejtuesit e Komunës së Dragashit dhe kuvendarët kanë realizuar një vizitë javën e shkuar në Austri. Me zyrtarët e Purkesdorfit është diskutuar mundësia e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe binjakëzimit.
Mirëpo dega e PDK në Dragash përmes një reagimi ka adresuar dyshimin për keqpërdorim të parasë publike dhe përzgjedhje të operatorëve me favorizim nga drejtuesit e Komunës për realizimin e vizitës së kuvendarëve në Austri.
Këto pretendime janë hedhur poshtë nga menaxhmenti i Komunës së Dragashit.
Në seancën e radhës krahas bashkëpunimit me Komunën e Purkesdorfit, në agjendë si pikë e tretë e rendit të ditës figuron edhe shqyrtimi i “Propozim Vendimit për miratimin e nismës për bashkëpunimin komunal ndërkombëtar dhe fillimin e procedurave për binjakëzim ndërmjet Komunës së Dragashit dhe Komunës së Mavrovë-Rostushës, Maqedonia e Veriut”.