Pesë vetura ushtarake të Serbisë, janë afruar në kufirin e Kosovës, gjatë pasditës së sotme, duke qëndruar aty për rreth 20 minuta.
Rreth orës 15:37 sipas burimeve të KosovaNews, patrulla e Policisë së Kosovës në pikën statike në Zrnosek (Gate 13) Komuna e Leposaviq, ka raportuar se disa automjete, që dyshohet të jenë të Ushtrisë së Serbisë, janë afruar deri në pikën afër njërës nga rrugët ilegale të bllokuara, përkatësisht barrierave të betonit të vendosura nga KFOR-i.
Me të marr këtë informacion, siç mëson KosovaNews, për situatën është njoftuar KFOR-i amerikan. Deri më tash nuk dihet nëse KFOR-i ka ndërmarrë ndonjë veprim të caktuar sigurie konform situatës.
Rreth 20 minuta më vonë, patrulla policore e Kosovës, mëson KosovaNews nga burime brenda Policisë, se automjetet ushtarake serbe (4 humwee dhe 1 pizgauer) janë tërhequr në drejtim të territorit të Serbisë.
Sipas informacionave të siguruara nga KosovaNews, automjeti i tipit ‘Pizgauer’ ka qenë shumë pranë barrierave, ndërsa automjetet tjera, kanë qëndruar disa metra larg. Gjithashtu, KosovaNews mëson se gjatë qëndrimit të tyre aty për rreth 20 minuta, asnjë person nuk ka dalur nga këto automjete, andaj nuk dihet numri i personelit që ka mundur të jetë me këto automjete. /KosovaNews/


