Komuna e Prishtinës ka vendosur që më 1 Maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, të ndalojë qarkullimin e automjeteve drejt parkut të Gërmisë, një nga destinacionet më të frekuentuara të qytetarëve për këtë festë.
Sipas urdhëresës komunale, në këtë zonë do të mund të shkohet vetëm përmes autobusëve të linjës 4 të “Trafikut Urban”. Kufizimet e qarkullimit do të vlejnë për të gjitha automjetet private, përveç disa përjashtimeve të përcaktuara.
Pikat përfundimtare të lejuara për qarkullim do të jenë:
Kryqëzimi i rrugëve “1 Tetori” – “Nazim Gafurri” dhe “Ymer Lutfi Paqarizi”
Kryqëzimi i rrugëve “Nazim Gafurri” – “Xhavit Ahmeti” dhe “Dr. Lec Gradica”
Kryqëzimi i rrugës “Dr. Shpëtim Robaj” me atë të Sofalisë në drejtim të parkut
Qarkullimi do të lejohet vetëm për banorët e lagjeve Normale, Sofalia dhe Taukbahçe, si dhe për stafin e restoranteve që operojnë në park.
Po ashtu, automjetet e emergjencës dhe të autoriteteve publike do të kenë të drejtë qarkullimi.
Parku i Gërmisë tradicionalisht është një nga vendet më të frekuentuara nga qytetarët e Prishtinës për të pushuar e festuar më 1 Maj, ndaj autoritetet kanë marrë këtë masë për të lehtësuar lëvizjen dhe për të mbrojtur mjedisin.