Një aksident trafiku ka ndodhur sot në rrugën “Karl Petri”, përkatësisht tek ura e hekurit në Zveçan. Policia e Kosovës bën të ditur se nga ky aksident janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Policia njofton se njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Sipas hetimeve të para, dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e pakujdesisë dhe mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës. “Si pasojë, drejtuesi i automjetit, Z.V., 22 vjeç, ka humbur kontrollin mbi automjetin me targa të huaja dhe është rrokullisur. Fatmirësisht, nga ky aksident nuk është raportuar për persona të lënduar”, thuhet në njoftim.
Policia tutje njoftom se pas këtij rasti, ura ka qenë e bllokuar për një kohë, duke pamundësuar qarkullimin e automjeteve. Pas ndërhyrjes së autoriteteve përkatëse, ura është liruar dhe qarkullimi është rikthyer në normalitet.
Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë kufijtë e shpejtësisë dhe rregullat e komunikacionit rrugor.