Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Zyrës së re të Postës së Kosovës në qytetin e Leposaviqit. Kjo zyrë është hapur në objektin ku deri vitin e kaluar operonte Posta e Serbisë.
Bëhet fjalë për zyrën e katërt të Postës së Kosovës në Leposaviq, duke shënuar një hap të rëndësishëm për shtrirjen e shërbimeve shtetërore në këtë komunë.
Të pranishëm në këtë përurim zyrtar ishin edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, Kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës, Gëzim Paci dhe Kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Rraci.
Kryeministri Kurti tha se me këtë hapje, janë mbyllur operatorët e pa licencuar që kishin vepruar më herët në këtë qytet.
“Tash e kemi Postën e Kosovës ku, përveç dërgesave të zakonshme postare, qytetarët e Leposaviqit mund të pranojnë edhe mjete financiare në euro. Besoj që është një lajm i mirë si për banorët e komunës, ashtu edhe për shërbimin postar publik të Republikës së Kosovës”, u shpreh Kurti.
Kjo nismë synon të përforcojë praninë institucionale të Republikës së Kosovës në këtë pjesë të vendit dhe të ofrojë shërbime më të sigurta dhe më efikase për qytetarët.