Në gjykimin ndaj dy të akuzuarve, Ilir Abdullahu – “Liza” dhe Rrahim Abdullahu – “Rrumqi”, në rastin e vrasjes së Triumf Rizës, ka dhënë dëshminë e tij Blerim Shala, kolegu i Triumf Rizës.
Ilir Abdullahu dhe Rrahim Abdullahu nga Prokuroria Speciale po akuzohen se në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Enver Sekiraqën kanë vrarë policin e Kosovës, Triumf Riza.
Dëshmitari Blerim Shala gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën e Prishtinës, më 25.04.2025, tha se të ndjerin Triumf Riza e kishte njohur që nga viti 2001 përmes Policisë së Kosovës pasi ai kishte filluar të punonte në Polici të Kosovës më 14.02.2001.
Shala tha se me të ndjerin kishin biseduar për probleme të punës, policisë mirëpo ai i kishte treguar edhe për konfliktet që kishte pasur me grupin e Enver Sekiraqës.
“Zakonisht kemi biseduar për problem të punës, policisë pastaj m’i ka treguar disa raste që ka pasur kontakt ose konflikt me grupin e Enver Sekiraqës”– tha dëshmitari Shala në seancën e 25.04.2025.
Blerim Shala tregoi edhe për momentin kur Triumf Riza e kishte ndalur si polic së bashku me dy policë të tjerë ndërkombëtarë Enver Sekiraqën, dhe i njëjti i kishte sulmuar me granatë dore dhe i kishte kërcënuar.
Tutje Shala tha se pas rastit të “Swiss Cassino” ku kishin mbetur të plagosur dy persona, njëri nga grupi i Triumf Rizës dhe tjetri nga grupi i Enver Sekiraqës. Sipas tij, prej aty kishte filluar më intensive përcjellja e Triumfit.
“Pastaj prej aty ka filluar më intensive përcjellja e Triumfit kërcënimet edhe këto” – tha Blerim Shala.
“Kush ishin këta persona që e përcjellin Triumfin?” – e pyeti prokurorja Arbëresha Raça – Shala.
“Kryesisht Enveri, ‘Liza’ – Ilir Abdullahu, ‘Rrumqi’ – Rrahim Abdullahu” – u përgjigj dëshmitari.
Po ashtu, gjatë dëshmisë së tij Blerim Shala tha se kishte pasur tri raste ku ishte dyshuar grupi i Enver Sekiraqës.
“Unë i kom pasë tri raste të cilat janë dyshu grupi i Enverit, i kemi hetu si grup atëherë, rasti parë ka qenë djegia e veturës ku viktimë ka qenë Xh.I , rasti i dytë granata e Restorant ‘Gisit’, kurse rasti i tretë djegia e veturës Triumfit” – tha Shala.
Blerim Shala tregoi se më 30.08.2007 ishte takuar me Triumfin dhe ai i kishte treguar se vazhdimisht është duke u përcjellë nga Iliri dhe Rrahimi.
“Ditën e 30.08.2007, kur jom taku me Triumfin ai më ka përmend gjatë tërë kohës, që është në përcjellje. Më ka thënë që gjatë tërë kohës që Iliri dhe Rrahimi tu e përcjellë dhe do persona të tjerë. Triumfi si ka njohur, dhe ka kërkuar nga unë me i jep akses në data bazë policisë ku i kemi personat e dyshimtë me fotografi ku ai i ka marrë disa prej tyre i ka qit me një usb mesin e tyre ka qenë Iliri dhe Rrahimi dhe persona tjerë që ai ka dyshuar që janë me ta” – tha Blerim Shala.
Tutje tregoi se ai e kishte marrur edhe fotografin e Enver Sekiraqës dhe disa të tjerëve.
Lidhur me ditën kritike ai tha se për vrasjen e Triumfit ishte njoftuar nga vëllau i Triumfit, Visar Riza.
“Për vrasjen e tij më ka thirrë vëllai i Triumfit, Visari meqenëse Triumfi doli ma herët nga zyra tha po të pres në qytet poshtë se jom nxonë në punë pastaj më ka treguar Visari që e kanë gjuajt dhe është në spital” – tha Shala.
”Çka ke mujtë me kuptu prej Triumfit, cili ka qenë qëllimi i tij në raport me grupin e Enver Sekiraqës” – e pyeti gjyqtarja Violeta Namani Hajra.
“Enveri i ka thënë se mu nuk guxon kërkush me më ndalë prej policisë, as prej policisë as prej komandantëve i ka thënë Triumfit” – tha dëshmitari Shala.
Në fund të dëshmisë së tij, Blerim Shala tha se Triumf Riza kishte qenë person shumë i moralshëm, nuk kishte pasur kurrë vërejtje në polici.
Po ashtu në fillim të seancës të mbajtur më 25.04.2025, me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Rrahim Abdullahu, avokatit Xhemajl Ademaj, gjykata e konsideroi si të lexuar deklaratën e dëshmitares K.B.
Ky propozim i avokatit Ademaj nuk u kundërshtua as nga prokuroria, as nga babai i të ndjerit Triumf Riza, Shefqet Riza, e po ashtu as nga avokati Ramë Dreshaj, i cili mbron të akuzuarin Ilir Abdullahu.
Seanca e mbajtur më 25.04.2025 u ndërpre, ndërsa seanca e radhës pritet të vazhdojë më 28.04.2025, në të cilën do të vazhdohet me dëgjimin dëshmitarëve të tjerë.
Kujtojmë se në seancën gjyqësore të mbajtur më 21.02.2025 ishte bërë bashkimi i dy lëndëve: bashkimi i lëndës së Rrahim Abdullahut dhe të Ilir Abdullahut.
“Prokuroria ka bërë kërkesë që të bashkohet, për shkak se kanë të bëjnë me një çështje të njëjtë penale dhe që të gjykohen këto dy çështje si një çështje për shkak të ekonomizimit” – kishte thënë gjyqtari Valon Kurtaj.
Rrahim Abdullahu akuzohet për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, por Gjykata Themelore në Prishtinë në vitin 2015 e kishte rikualifikuar veprën në “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, duke e shpallur fajtor për këtë vepër penale.
Gjykata Themelore e Prishtinës, me aktgjykimin e saj të datës 04.12.2015, e kishte shpallur fajtor Rrahim Abdullahun për shkak të veprës penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale” dhe e ka gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 4 viteve e 11 muaj.
Ndërsa Gjykata e Apelit lëndën ndaj Rrahim Abdullahut e kishte kthyer në rigjykim.
KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës së Apelit me të cilin e kishte kthyer në rigjykim lëndën ndaj Rrahim Abdullahut.
“Aprovohen ankesat të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të mbrojtësit të akuzuarit Rrahim Abdullahu, av.Miodrag Brkjaq, e sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Prishtinë, PKR.nr.211/2014, të dt.04.12.2015, anulohet dhe çështja penale i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim”– thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Ky vendim ishte marrë nga kolegji i gjyqtarëve të përbërë nga: Xhevdet Abazi – kryetar, Fillim Skoro – gjyqtar referues dhe Driton Muharremi – anëtar.
Ky rast në rigjykim po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të trupit gjykues: Valon Kurtaj – kryetar i trupit gjykues dhe Lutfi Shala e Violeta Namani-Hajra – anëtarë.
Për vrasjen e zyrtarit policor Triumf Riza, që ndodhi në vitin 2007, Policia e Kosovës, më 16.07.2023, e kishte arrestuar të dyshuarin, Ilir Abdullahu. Abdullahu ka qenë në kërkim 15 vjet nga organet e rendit, e arrestimi i tij kishte ndodhur më 16.07.2023, në Batllavë të Podujevës.
Doras i shpallur fajtor për vrasjen e Triumf Rizës është Arben Berisha, i cili për këtë vepër u dënua të vuajë 35 vjet burgim dhe Enver Sekiraqa, i cili është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe është dënuar me 25 vjet burg.
Kjo përbën herën e tretë që Sekiraqa dënohet për shtytje në vrasjen e Rizës, 18 vjet më parë. Për herë të parë, më 2016, Sekiraqa ishte dënuar me 36 vjet burgim, kurse sërish më 2019, me 20 vjet burgim. Enver Sekiraqa ndodhet aktualisht në arrati dhe i njëjti kërkohet nga organet e rendit.
Prokuroria Speciale e Kosovës, më 01.09.2024, kishte ngritur aktakuzë kundër Ilir Abdullahut për veprën penale “vrasje e rëndë në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza”.
Ilir Abdullahu kishte qenë në kërkim të policisë për afër 15 vite, në pranga të të cilëve ra më 16.07.2023.
I njëjti që atëherë ka qenë në paraburgim, përderisa më 03.10.2023 avokati i tij, Ramë Dreshaj, paraqiti kërkesën për zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të dorëzanisë në shumë prej 50 mijë euro ose më shumë.
“Me parashtresën e datës 11.10.2023, mbrojtësi i të pandehurit e ka specifikuar shumën për dorëzani prej 100 mijë euro” – thuhet në aktvendimin që ka siguruar KALLXO.com
Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, ishte liruar nga paraburgimi nga Gjykata e Prishtinës, pasi kishte dhënë 100,000 euro dorëzani.
Gjykata e Apelit, më 03.11.2023, e ka kthyer në paraburgim Ilir Abdullahun.
Në arsyetimin e Gjykatës së Apelit thuhet se në ankesën e Prokurorisë Speciale pretendohet se aktvendimi për masën e dorëzanisë është në shkelje të dispozitave të procedurës penale. Kjo për faktin se për caktimin e kësaj mase duhet të ekzistojë dyshimi i bazuar dhe se baza e vetme është rreziku i ikjes, andaj prokuroria ka vlerësuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së dorëzanisë ndaj të njëjtit.
Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se ankesa e Prokurorisë Speciale është e bazuar dhe se Gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme – lidhur me proporcionalitetin dhe përshtatshmërinë e kësaj mase.
Andaj, edhe zëvendësimi i masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë, në vlerë prej 100,000 euro për të pandehurin nuk është i drejtë e i ligjshëm dhe se i pandehuri Abdullahu duhet të kthehet në paraburgim.
Dosja e Prokurorisë
Sipas Dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Ilir Abdullahu me tani të dënuarit, Arben Berishën e Fitim Avdiun dhe me të pandehurit, Enver Sekiraqën dhe Rrahim Abdullahun, si grup i organizuar nga i pandehuri Enver Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, e me dashje që ta privojnë nga jeta të ndjerin Triumf Rizën, për shkak se i njëjti, më 24.12.2005, në lokalin “Swiss Casino”, në Prishtinë, e kishte rrahur Enver Sekiraqën, i cili kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit të Triumfit me A.I.,, i njëjti nuk e ka lejuar që t’i japë reket/haraq – të holla si më parë.
Në Aktakuzë thuhet se një kohë e kanë përcjellë me vetura lëvizjet e të ndjerit, Triumf Riza dhe më 30.08.2007, derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, tani i dënuari Fitim Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Ilir Abdullahut me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramën”, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në Hotelin Grand.
Sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit, Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Quins”, ku tani i dënuari Arben Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa i pandehuri Ilir dhe Rrahim kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokalit AMPM.
Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Rrahim Abdullahu përmes telefonit të tij i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar i ulur në tarracën e një lokali afër lokalit AMPM, me përmbajtjen “Rri qatu, hin mrena, se mirë je, ma vonë të thirri”, pasi që Riza ishte parë te lokali AMPM.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Arben Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Triumf Riza nuk kishte pritur kurrfarë sulmi, e me shpinë të kthyer nga ai, në distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafalë të shkurtra, duke e goditur me dy predha në shpinë, ku predhat, nga veprimi dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një predhë është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.
Për këtë, të akuzuarit Ilir Abdullahu dhe Rrahim Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu dhe Enver Sekiraqën, akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”./Kallxo.com