Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për herë të pestë të hënën.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka treguar nëse janë të gatshëm për të bërë kompromis politik sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Pas dështimit të serishëm të konstituimit të Kuvendit, ku nga LVV-ja u kërkua arritja e një marrëveshje politike për zgjidhjen e ngërçit, Kurti nuk foli për mediat kur u pyet nëse do të bëjnë ndonjë kompromis me partitë të tjera parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se partia e saj nuk është duke e bllokuar konstituimin e Kuvendit.
Duke folur pas dështimit të pestë të seancës konstituive, Kusari tha se, duke e parë “qasjen” e partive të tjera, duhet të ketë marrëveshje për një temë tjetër: zgjedhje të reja.
“T’i thërrasim të gjitha grupet politike, ta konstituojmë Kuvendin dhe të pajtohemi që me 80 vota, ta shpërndajmë Kuvendin dhe të shkojmë menjëherë në zgjedhje. Në rrethanat dhe deklarimet aktuale kjo duket zgjidhja më e afërt dhe më e pranueshme”, tha ajo.
LVV-ja ka propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, mirëpo e njëjta dy herë me radhë nuk mori votat e nevojshme në vazhdimin e seancës më 19 prill.
Ndërkaq, në seancën e sotme emri i saj për kryetare të legjislativit nuk u hodh fare në votim, pasi siç u tha situata nuk ka ndryshuar.
Seanca për konstituimin e Kuvendit ka nisur më 15 prill, ndërkaq betimi i deputetëve është bërë më 19 prill.
Pas betimit, hapi i radhës është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit që do të shënonte konstituimin e organit legjislativ si dhe do t’i hapte rrugë votimit të qeverisë së re.