Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Dimal Basha, pas dështimit të seancës së sotme, ka deklaruar se ekziston një problem te LDK-ja për mos votimin e verifikimit të mandateve.
Basha tha se në legjislaturën e nëntë ka deputetë të zgjedhur jo legjitimë dhe se LDK-ja duhet të kërkojë nga Prokuroria ta kryejë punën e saj.
“Deputetët e LDK-së duhet të kërkojnë që prokuroria ta bëjë punën e vet, për t’i dënuar mbi një vit burg ata që janë sot këtu, e kanë vjedhur vota, pastaj me prurë një Kuvend më legjitim”, tha ai.
Konstituimi i legjislaturës së nëntë ka dështuar për herë të dytë brenda dy ditësh. Kryesuesi Avni Dehari nga LVV-ja ndërpreu seancën pasi sipas tij, nuk kishte konsensus me përfaqësuesit e partive politike se si të veprohet tutje. Seanca e re e radhës është thirrur për datën 19 prill, ora 12:00.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha sot se nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket votimit të raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve. Abdixhiku tha se nuk do ta votojnë as sot raportin derisa Qeveria Kurti të jep dorëheqje.
Ish-shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas ndërprerjes së seancës konstituive, tha se nëse opozita nuk dëshiron të bisedojë rreth raportit për verifikim e mandateve të deputetëve, “atëherë mund të drejtohen për zgjedhje të reja.”
Deputetja e zgjedhur e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj tha se kryeministri në detyrë Albin Kurti po mundohet që në mënyrë të jashtëligjshme ta bëjë zvarritjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, meqë “nuk i ka votat për formimin e qeverisë”.


