Shqipëria ka siguruar tri pikët e para në fushatën kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026, duke triumfuar me rezultat 3-0 kundër Andorrës në ndeshjen e dytë të Grupit K.
Skuadra kuqezi e ka nisur ndeshjen me vrull dhe e ka gjetur golin e avantazhit që në minutën e nëntë. Pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Kristjan Asllani, Rey Manaj është treguar i saktë me kokë në shtyllën e parë, duke tundur rrjetën.
Dhjetë minuta më vonë, Manaj ka realizuar sërish pas një aksioni individual të Armando Brojës, i cili ka asistuar në qendër.
Në minutën e njëzet e katërt, Manaj e ka pasur mundësinë për ta shënuar edhe golin e tretë, por goditja e tij është pritur nga portieri Alvarez.
Pjesa e parë është mbyllur me avantazhin e dy golave për Shqipërinë.
Në fraksionin e dytë, të dy trajnerët nuk kanë bërë ndryshime në formacion, dhe loja është zhvilluar me ritëm më të qetë.
Shqipëria e ka menaxhuar rezultatin duke e ruajtur avantazhin, ndërsa në kohën shtesë Uzuni e ka shtuar edhe golin e tretë.
Me këtë triumf tashmë Shqipëria gjendet vendin e dytë në Grupin K me tri pikë, ku kryesues është Anglia me gjashtë pikë, pas fitores së saj ndaj Letonisë.


