Real Betis ka arritur një fitore të madhe ndaj Real Madrid me rezultat 2-1 në ndeshjen e Javës së njëzet e gjashtë në LaLiga.
Madrilenët e kanë nisur ndeshjen më mirë, duke kaluar në epërsi pas vetëm dhjetë minutash lojë.
Kylian Mbappe ka asistuar për Ferland Mendy, i cili me një pasim të zgjuar i ka krijuar mundësinë Brahim Diazit për të shënuar për 0-1. Pas golit, Real Madrid ka vazhduar të dominojë, me Rodrygo që ka rrezikuar portën kundërshtare, ndërsa tifozët vendas në “Estadio Benito Villamarin” kanë protestuar për disa vendime të gjyqtarit.
Betis është përpjekur të reagojë dhe ka shënuar golin e barazimit në minutën e tridhjetë e katërt. Pas një krosimi nga Isco, Johnny Cardoso ka kërcyer mbi mbrojtjen madrilene dhe ka shënuar me kokë, duke e mposhtur Thibaut Courtois, edhe pse portieri belg ka arritur ta prekte topin. Në fundin e pjesës së parë, Cardoso ka rrezikuar sërish, por këtë herë Courtois ka bërë ë pritje vendimtare.
Pjesa e dytë ka nisur me Betis më këmbëngulës, duke krijuar disa raste të rrezikshme. Pas një depërtimi të Jesus Rodriguez, Antonio Rüdiger e ka rrëzuar atë në zonë, duke shkaktuar penallti. Isco e ka marrë përsipër ekzekutimin dhe, pavarësisht se Courtois e ka lexuar drejtimin e gjuajtjes, topi ka përfunduar në rrjetë për 2-1.
Në minutat e fundit, Real Madrid ka shtuar presionin në kërkim të barazimit. Arda Guler ka pasur një tentativë të bllokuar nga Ricardo, ndërsa Endrick dhe Vinícius Junior nuk kanë arritur të konkretizojnë rastet e tyre. Në fund, portieri i Betis, Adrian, ka bërë disa pritje të rëndësishme për të siguruar fitoren e ekipit të tij.
Me këtë triumf, Betis ngjitet në vendin e gjashtë në LaLiga, duke regjistruar vetëm një humbje në nëntë ndeshjet e fundit. Ndërkohë, Real Madrid mbetet pa fitore në tri ndeshje radhazi si mysafir, një statistikë shqetësuese për “Los Blancos”, të cilët rrezikojnë të tejkalohen nga Atletico Madrid në renditje.


