Kanë përfunduar në pranga pesë të dyshuar të cilët kishin planifikuar dhe ndërmarrë veprime përgatitore për kryerjen e veprës penale “Vrasje” dhe “Shkaktimit të Rrezikut të Përgjithshëm” ndaj dy viktimave në Pejë.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës (PSRK), mbrëmë me datë 21.02.2025, kanë realizuar operacioni policor për arrestimin e “Grupit të Organizuar Kriminal”, të cilët kishin planifikuar dhe ndërmarrë veprime përgatitore për kryerjen e veprës penale “Vrasje” dhe “Shkaktimit të Rrezikut të Përgjithshëm”, ndaj dy viktimave në Pejë”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Pesë të dyshuarit, D.R., R.B., SH.K., F.Q., dhe D.M. me vendim të prokurorit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës janë ndaluar për 48 orë.
“Gjatë zhvillimit të operacionit policor është zbatuar urdhër-kontrolli që është kryer në gjashtë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të cilat do të përdoreshin për kryerjen e veprave penale si: granata dore, pushkë, revole dhe municion i kalibrave të ndryshëm”, thotë policia.
Përveç kësaj, kanë treguar se gjetën dhe sekuestruan një sasi të lëndës narkotike, telefona celularë si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.


