Shqipëria shton praninë në misionin EUFOR në Bosnje e Hercegovinë. Një togë me 30 trupa nga Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë do të jetë kontingjenti i parë shqiptar në operacionin e Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, përmes një postimi në Facebook, deklaroi se përmes këtij kontributi, Shqipëria dëshmon se jo vetëm linjëzohet 100% me politikën e jashtë të sigurisë së BE-së, por ky linjëzim është me vepra deri në sakrificën e fundit.
“Shqipëria shton praninë në misionin EUFOR ALTHEA. Një togë me 30 trupa nga Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë do të jetë kontingjenti i parë shqiptar në operacionin e Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë”, shkruan Vengu në Facebook.
Ai theksoi se ndërsa disa vende të Bashkimit Evropian janë tërhequr nga ky mision, Shqipëria merr përgjegjësi shtesë duke treguar se stabiliteti dhe paqja në rajon, është fryt i kompromiseve të vështira.


