As pas një ore prej kur ishte paraparë të niste, seanca e Kuvendit të Kosovës nuk ka filluar punimet për shkak të mungesës së deputetëve.
Në sallë janë vetëm nga një deputet i PDK-së dhe i LDK-së. Ndërsa, ata të AAK-së kanë dalë nga salla.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë thirrje që të mos caktohen mbledhje të komisioneve në ditët kur caktohen seanca.
“Tri Komisione aktualisht janë duke mbajtur mbledhje për trajtim të disa projektligjeve. E lus kryesisht mazhorancën të mos caktojë mbledhje të komisioneve kur ka seanca, sepse keni qenë të njoftuar për këtë mbledhje plenare qysh nga mbledhja e kryesisë”, ka thënë Konjufca.
Sot parashihen të mbahen dy seanca të Kuvendit të Kosovës. Njëra do të jetë vazhdim i seancës plenare, e tjetra seancë e re plenare. E para pritej të niste në orën 10:00, me shqyrtimin e mbi 20 pikave që kanë mbetur pa u përfunduar nga seancat e mbajtura më 31 tetor dhe 4 nëntor.
Seanca e dytë do të nisë në orën 14:00, dhe në rend dite ka 28 pika.


