Deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se Qeveria Kurti i ka hapur dyer nëpër Evropë që nuk janë hapur në 5-6 vjetët e fundit, ndërsa konsideruan se Kosova është shumë afër heqjes së vizave. Kështu u tha në debatin parlamentar të ftuar nga AAK për mos liberalizimin e vizave nga ana e Bashkimit Evropian. E nga opozita për mos lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, vlerësuan se nuk është fajtor vetëm Bashkimi Evropian.
Kuvendi i Kosovës po e vazhdon sot seancat plenare, ku në rend dite janë shtatë pikat e papërfunduara nga 21 korriku dhe dy pikat e seancave të 28 e 29 korrikut.
E me propozimin e AAK-së hyri në rend dite mocioni dhe është bërë debat parlamentar për mosliberalizimin e vizave.
Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, njëherit kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ka thënë se Qeveria Kurti ka hapur dyer nëpër Evropë që nuk janë hapur në 5-6 vjetët e fundit.
Abazi në foltore të Kuvendit ka thënë se nëse rezoluta që e ka propozuar kryesuesi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i ndihmon çështjes së liberalizimit të vizave atëherë nuk do ta kundërshtonte.
“Edhe kjo ideja e fjalimeve politike nuk është se i bën nder as Parlamentit as deputetëve individualë. Është e pavërtetë që nuk kemi punuar, kemi hapur dyer që ndoshta nuk janë hapur në 5-6 vjetët e fundit. Kjo nuk do të thotë që rezultatet do të preken menjëherë. Është e vërtetë që para 1 muajve komisioneri Varhelyi foli në mënyrë aksidentale e ndoshta edhe jo aksidentale për udhërrëfyes për viza, por mendoj që reagimi institucional ka qenë në formën e duhur, që kanë lëshuar deklarata se Kosova nuk ka nevojë për asnjë udhërrëfyes të tillë. Nëse z. Tahiri tregon se në çfarë forme konkrete kjo rezolutë i ndihmon liberalizimit, sigurisht se nuk do të diskutohet çështje se një instrument i tillë ka ardhur prej opozitës”, tha Abazi.
Kurse deputeti Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk është fajtor vetëm BE.
Ky i fundit në seancë plenare deklaroi se liberalizimi i vizave është meritor për qytetarët e Kosovës.
“Në këtë padrejtësi të madhe të qytetarëve tanë, të cilët po mbahen të izoluar dhe nuk mund të lëvizin lirshëm drejt vendeve të BE-së, me një fjalë nuk mund të fajësojmë vetëm Bashkimin Evropian. Sepse, është e qartë dhe e ditur edhe këtu edhe botërisht që ne e kishim një mundësi të artë në vitin 2015-2016, kur Kosova ishte me një pako me Gjeorgjinë dhe Ukrainën për të marrë liberalizimin e vizave. Por të gjithë e dinë që kjo u pamundësua nga disa figura po ashtu që sot janë në krye të shtetit, dhe nga disa zyrtarë të tjerë në pengesën që iu bë ratifikimit të marrëveshjes me demarkacionin me Malin e Zi”, ka shtuar ai.
Ai përmendi edhe hedhjen e gazit lotsjellës dhe dhunën e shprehur në Kuvend nga partia që sot është në pushtet.
Ndërkaq, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputetja Arbëreshë Kryeziu ka deklaruar se ky debat parlamentar nuk është ftuar në kohë të përshtatshme, meqë sipas saj Kosova është afër heqjes së vizave.
“Duke thirrur një debat parlamentar për të folur për mosliberalizim të vizave, po harrojmë ta përmendim një fakt: Kurrë Kosova nuk ka qenë më afër heqjes së vizave se sa që jemi sot. Kurrë nuk është punuar më shumë. Asnjëherë tjetër nuk janë shënuar kaq rezultate pozitive për vite të tëra sa janë shënuar përgjatë kësaj qeverisje një vit e pak muaj. Ne nuk duam ta mashtrojmë popullin, nuk kemi dhënë asnjëherë muaj e data, sepse mendojmë që kanë qenë të mashtruar për vite. Por, po punojmë fuqishëm, ekzekutiv dhe legjislativ, që ky proces një herë e mirë të marrë epilog. Këtu unë iu bëj thirrje që të bashkohemi pozitë e opozitë, sepse do të përfitojmë njëjtë, si pozita si opozita”, ka deklaruar ajo.
Po ashtu, ajo ka shtuar se asnjë shtet i Bashkimit Evropian nuk është kundër lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës, për çka tha se edhe reflektimi i Francës është i dukshëm.
Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica u shpreh se agjenda e integrimit evropian nuk është vetëm liberalizimi i vizave.
“Në emër të Grupit Parlamentar edhe një herë deklaroj që ne jemi të gatshëm dhe jemi në mbështetje të proceseve sa i përket agjendës evropiane dhe liberalizimit të vizave. Do të duhej e njëjta gjë të ndodhë edhe nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga zëvendëskryeministri që është përgjegjës për agjendë evropiane dhe i cili do të duhej të ketë në konsideratë edhe pjesën e opozitës. Sepse e dimë dhe është e dëshmuar që pa një koordinim të ndërsjellë është e pamundur të lëvizim këtë proces shumë të rëndësishëm”, ka shtuar ai.
Deputeti Pal Lekaj tha se propozimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është alternativë e vetme për ndërtimin e platformës nacionale.
“Është mundësi për të ndërtuar platformë nacionale në zhvillimet më të rëndësishme për vendin tonë, është domosdoshmëri politike, ekonomike dhe shoqërore. Është mundësi për të mbrojtur dinjitetin e vendit tonë dhe qytetarit të cilin e përfaqësojmë. Është alternativë e vetme që të ndërtojmë strategji, të cilës duhet secili t’i përmbahemi deri në realizimin e plotë të saj. Ashtu siç bëmë me udhëzuesin për vizat që na ofruan të tjerët për ne”, ka deklaruar ai.
Pas një debati të gjatë me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të mërkurën Rezolutën e AAK-së në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.


