Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari mori pjesë sot në hapjen e konferencës së 3-të Ndërkombëtare “FutureFrames – Inteligjenca Artificiale në Arkitekturë dhe Evolucioni Urban”, e organizuar nga Fakulteti i Arkitekturës.
Ajo theksoi rëndësinë e industrisë së prodhimit në arkitekturë dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për avancimin e proceseve të prodhimit, përfshirë dizajnin e produkteve, mirëmbajtjen e makinerisë dhe automatizimin e linjave të prodhimit.
Hajdari foli gjithashtu për Politiken Industriale 2030, e cila ka për qëllim shpalosjen e potencialit të industrisë prodhuese dhe inovacionit në Kosovë. Tri objektiva kryesore të kësaj politike janë përmirësimi i inovacionit të produktit, dixhitalizimi i prodhimit dhe forcimi i lidhjeve mes industrisë dhe ofruesve të shërbimeve vendore.
Ajo theksoi se, me krijimin e Fondit të Inovacionit, do të rritet mbështetja për inovacionin dhe ndërmarrësinë, përfshirë sektorët prodhues dhe kreativë, si arkitektura.
Ministrja po ashtu nënvizoi investimet kapitale që Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po realizon për të zgjeruar hapësirat për bizneset prodhuese dhe për të krijuar qendra inovative në universitete dhe prona institucionale, me qëllim rritjen e bashkëpunimit mes industrisë dhe akademisë.


