Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë të premten se është e kënaqur me punën e dy kompanive të kontraktuara vitin e kaluar për lobim në Shtetet e Bashkuara.
Ajo i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi me gazetarë, më 13 shtator.
Gërvalla tha se kontratat njëvjeçare me kompanitë e Avni Mustafajt – Ambal LLC – dhe Afërdita Rakipit – Afërdita Rakipi Communications – nuk janë vazhduar, por se një gjë e tillë “po konsiderohet”, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Shumë prej shpenzimeve gjatë gjashtëmujorit të parë të kontratës ishin raportuar për dreka dhe darka pune në Kosovë, megjithëse kontratat e tyre parashihnin ofrimin e këshillave dhe përfaqësimit të MPJD-së “brenda Shteteve të Bashkuara”.
Ndërsa, në gjashtëmujorin e dytë të kontratës, ata kishin raportuar punë pothuajse identike – duke kontaktuar të njëjtët persona, në të njëjtat ditë, me të njëjtën përmbajtje të emaileve – edhe pse kontratat e tyre janë individuale.
Gërvalla, duke theksuar se është e kënaqur me punën e dy lobistëve, tha se raportimet në dokumentet e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë, janë vetëm një pjesë e aktiviteteve të tyre. Ligjet në SHBA detyrojnë lobistët t’i raportojnë të gjitha aktivitetet e ndërmarra gjatë kohës sa janë të kontraktuar nga “agjentë të huaj”.
E pyetur nëse Kosova është duke paguar dyfish punën e njëjtë, Gërvalla tha se nuk ka shqetësime lidhur me këto kontrata dhe shtoi se ata dy po punojnë së bashku në realizimin e detyrave të tyre.
Gërvalla tha se ajo preferon qasjen aktuale të MPJD-së, pasi që tha se në kompanitë e tilla të mëdha, Kosova është vetëm njëra nga shumë klientët e tyre, dhe nuk gjen përfaqësimin e nevojshëm.
Rakipi dhe Mustafaj nuk kanë pasur asnjëherë kontratë lobimi të regjistruar FARA, para lidhjes së kontratës me MPJD-në.
Ata të dy kishin qenë aktivë gjatë negociatave për çështjen e Kosovës në Rambuje të Francës, më 1999. Në mars të vitit 1999, të dy ata kanë marrë pjesë në një takim me presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Bill Clinton, në Shtëpinë e Bardhë.
Dhjetë vjet më parë, Rakipi, e lindur në Miçigen të SHBA-së, është etiketuar nga Gërvalla në një sfidë leximi, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.
Mustafaj, i lindur në Nju Jork të SHBA-së, ka qenë person kyç në Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), si dhe anëtar i organizatës Germin në Kosovë, që merret kryesisht me çështje të diasporës.
Mustafaj ende figuron si anëtar i bordit në Germin, organizatë ku bashkëthemeluese ka qenë Liza Gashi, tani zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.


