Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka përsëritur kërkesën ndaj faktorit ndërkombëtar që të bëjë presion te Serbia për dorëzimin e kriminelit, Milan Radojçiq, në Kosovë, i cili pranoi se është përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Në një konferencë për media, Haxhiu ka thënë se Serbia ende nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me ofrimin e provave që ndërlidhen me kryeterroristin, Milan Radoiçiq.
“Për ofrimin e provave që ndërlidhen me kryeterroristin, Milan Radoiçiq Serbia deri tani nuk ka kthyer përgjigje. Kërkojmë prova për këtë rast, duhet ta ketë qartë Serbia se i vetmi që ka të drejtë të hetojë këtë rast është Kosova. Në vend që Serbia të bëjë kërkesa të tilla që provat të transferohen në Serbi, duhet që Radoiciqin ta dorëzojë tek institucionet e Kosovës. Ndërkombëtarët ti bëjnë presion Serbisë që të dorëzojë Radojciqin dhe kriminelët e luftës. Në anën tjetër nuk ka presione për Serbinë që të dorëzojë kriminelë. Kjo për mua është shqetësuese, edhe kriminelët e luftës edhe ata që kryejnë krime kundër paqes. Presioni të vazhdojë, të mos ndalet.”, ka deklaruar Haxhiu.


