Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër dy të pandehurve për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të prokurorisë dërguar mediave.
“Të pandehurit akuzohen se gjatë kohës së luftës në Kosovë kanë kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzore, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masive dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar në Komunën e Istogut”.
Gjatë hetimeve është thënë se u vërtetua se gjatë periudhës së luftës në Istog, rreth 5 mijë shtëpi janë djegur, rreth 250 persona janë vrarë prej tyre 19 viktima fëmijë dhe shumë dëme të tjera materiale.
“Po ashtu të pandehurit akuzohen për ngjarjet në familjet Salihaj, Imeraj, Lipa, Pepaj etj. Hetimet kanë zbuluar se gjatë periudhës kohore relevante për këtë aktakuzë, pati dy raste të dhunës seksuale ndaj viktimave të nacionalitet shqiptar”, njofton Prokuroria Speciale”, thuhet në komunikatë.


