Policia e Kosovës njofton se si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një lokal nate në Topliqan të Suharekës, një person dyshohet se është goditur në këmbë, kurse gjashtë të tjerë kanë pësuar lëndime nga gjësende të forta në lokalin ku po qëndronin.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 02:00, ku Stacioni Policor në Suharekë kishte pranuar një informatë për gjuajtje me armë zjarri në një lokal nate.
Policia njofton se menjëherë kanë dalë në vendngjarje të gjitha njesitët relevante dhe se nga hetimet e para mësohet se në vendin e ngjarjes në parkingun e një lokalit hotelier janë gjetur 10 gëzhoja që dyshohet të jenë shkrepur nga arma automatike AK-47.
“Si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri një person dyshohet se është goditur në këmbë, i cili është dërguar me urgjencë në qendrën emergjente në Prizeren, edhe gjashtë persona tjerë dyshohet të jenë lënduar nga gjësende të forta, dhe xhamat e thyer të dritareve të lokalit ku ishin duke qëndruar. Sipas raportit të mjekut personat e sjellur kanë lëndime të lehta trupore”, njofton Policia.
Bëhet e ditur se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është bërë bastisja e shtëpisë dhe lokaleve përcjellëse të njërit nga të dyshimtit, por nuk është hasur në shtëpi dhe i njëjti është në kërkim policor.
Sipas Policisë, gjatë bastisjes nuk është gjetur diçka e dyshimtë.
“Rasti në bashkpunim të ngushtë me prokurorin e shtetit dhe Sektorin e Hetimeve Rajonale në Prizeren vazhdon te hetoeht deri në arrestimin e të dyshuarve dhe zbardhjen e rrethanave se si ka ardh deri te ky rast i rëndë. Me vendim të prokurorit rasti cilësohet “Vrasje në tentativë”, thuhet në njoftim.


