Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se autoritetet e Kosovës do t’i bënin mirë vetes që t’i dëgjojnë partnerët dhe aleatët në çështjen e planit për hapjen e Urës mbi Ibër.
Stano ka thënë se qëndrimi i BE-së për çështjen e urës nuk ka ndryshuar. Ai ka përsëritur se kjo çështje duhet të diskutohet në dialogun në Bruksel.
“Qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me çështjen e urës është thënë qartë në ditët dhe javët e kaluara dhe u është komunikuar partnerëve në Prishtinë e është diskutuar gjerësisht me partnerët tjerë brenda BE-së, SHBA-në, NATO-n dhe KFOR-in. Qëndrimi i BE-së nuk ka ndryshuar. Nuk ka asgjë të re. Po ritheksoj që ka diskutime dhe ndërveprime që po vazhdojnë lidhur me këtë çështje, në linjë me qëndrimin e BE-së që veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara duhet të shmangen e që kjo çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut. Ky është pikëvështrimi i të gjithë partnerëve dhe aleatëve të Kosovës. Autoritetet e Kosovës do t’i bënin shërbim të mirë vetes dhe qytetarëve nëse do t’i dëgjonin mesazhet nga partnerët dhe aleatët”, ka deklaruar ai.
Stano ka deklaruar se nuk ka datë se kur mund të ketë takim potencial për ta diskutuar këtë çështje në Bruksel.


