Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese komentet e veta në lidhje me Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM).
AGK-ja ka vlerësuar se ky ligj duhet të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese.
Në një komunikatë për media, AGK-ja ka thënë se në komente ka argumentuar që “procedura e ndjekur gjatë ligjbërjes dhe nenet që rregullojnë përbërjen dhe funksionimin e Komisionit, definicionin për mediat online dhe këshillin e ankesave janë në kundërshtim me Kushtetutuën e Kosovës dhe cenojnë, ndër të tjera, pavarësinë e KPM-së, të drejtën e lirisë së medias dhe parimin e barazisë gjinore”.
AGK-ja e ka cilësuar historik rastin gjyqësor për Ligjin për KPM-në.
“Ky rast gjyqësor është historik për shkak se është hera e parë që Gjykata Kushtetuese trajton rast që ka të bëjë me lirinë e medias dhe aktgjykimi do të krijojë precedentë që do të udhëheqë Gjykatën për dekada me radhë. Ne shpresojmë që argumentet tona do të bindin Gjykatën që të shpallë ligjin kundërkushtetues”, thuhet në njoftim.
Ligji për KPM-në është dërguar në Kushtetuese nga partitë opozitare. Kritika ndaj tij ka pasur nga shoqëria civile, Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. Disa aspekte të Projektligjit janë vlerësuar se nuk janë në përputhje me standardet më të mira evropiane.
Çështjet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Evropës janë: Ndryshimi i Projektligjit për KPM-në pa koncept-dokument, mënyra e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërje, emërimi, mandati dhe shkarkimi i anëtarëve të KPM-së, largimi i kufizimit ligjor që në të kaluarën ua pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove, dhe mungesa e transparencës gjatë nismës legjislative.
Ambasadorë të akredituar në Kosovë kanë thënë se Qeveria ka injoruar rekomandimet e faktorit ndërkombëtar dhe kësisoj ka humbur mundësinë që të përafrohet me standardet evropiane.


