Lëvizja Vetëvendosje në Prizren ka ngritur akuzat e forta për keqpërdorime dhe manipulime në procedurat e tenderëve në këtë komunë.
Në një deklaratë, VV theksoi se ndarjet e tenderëve në dobi të personave të afërt me udhëheqësit lokalë janë bërë një praktikë e zakonshme, duke theksuar se skandali i fundit përfshin shpalljen e operatorit “EFA TOURISM LL.C.” si fitues të tenderit për transportin publik urban për vitet 2024-2025.
Sipas njoftimit të Komisionit për Shqyrtimin e Ofertave të datës 14 gusht 2024, operatori “EFA TOURISM LL.C.” është shpallur fitues i tenderit. Ky operator është regjistruar më 22 prill 2024 dhe është në emër të Emin Altunç. E habitshme është se numri kontaktues i këtij biznesi është i Levent Buş, Zv. Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prizrenit, i cili është i afërt me Shaqir Totajn dhe përfaqëson PDK-në në Komitetin për Politikë dhe Financa.
Lëvizja Vetëvendosje akuzon se këto tenderë janë të kurdisur për të përfituar paligjshëm, duke theksuar se kompanitë e afërta me PDK-në tash e disa vite kanë përfituar në mënyrë të dyshimtë nga procedurat e tenderëve. Për më tepër, sipas të dhënave të siguruara nga sinjalizuesit, autobusët e kësaj kompanie janë sjellë në Prizren para shpalljes së fituesit dhe janë të vendosur në hapësirat e një kompanie private.
“Perveç se kompanitë të afërta me PDK-në tash e disa vite përfitojnë tenderë të kurdisur, tani kanë filluar te themelojnë biznese të reja per t’i kurdisur tenderët në dobi të tyre, me qëllim të përfitimit të paligjshëm”.
“Rrjedhimisht, Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prizren bënë thirrje Prokurorisë për veprim të menjëhershëm duke nisur hetimet ndaj të gjithë personave të përfshirë në këtë aferë korrupsioni”, thuhet në njoftim.