Dy ekstremistë të dyshuar janë arrestuar në Austri të mërkurën, njëri prej të cilëve duket se po planifikonte një sulm në një ngjarje në Vjenë. Prej ngjarjeve të tilla janë përmendur edhe koncertet e Taylor Swiftit.
I dyshuari kryesor, 19 vjeç, u arrestua në Ternitz dhe i dyti në kryeqytetin austriak.
Franz Ruf, drejtori për sigurinë në Ministrinë e Brendshme të Austrisë, ka thënë se autoritetet ishin në dijeni se po përgatiteshin veprime për sulm të mundshëm dhe se një prej fokuseve ishte në koncertet e Swiftit në Vjenë, raportoi CNN.
Ruf ka theksuar se 19-vjeçari kishte pohuar lidhje me grupin e Shtetit Islamik.
Swift ka të planifikuar një koncert për të enjten, të premten dhe një tjetër të shtunën. Masat e sigurisë për koncertet janë shtuar. Ruf ka theksuar se kujdes special do t’i kushtohet hyrjeve.


