Kuvendi i Kosovës nuk arriti të miratojë Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.
Kjo për faktin se nuk u arrit kuorum në amendamentet e dhëna nga deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica.
Korenica gjatë prezantimit të amendamentit të katërt për këtë projektligj ka kërkuar nga deputetët që i njëjti të përkrahet pasi thotë se ligji që ka ardhur si draft për votim i jep të drejtën individit që të vendosë lirshëm.
Sipas tij, e drejta riprodhuese duhet t’i takojë vetëm çiftit e jo edhe individit.
“Çifti ka të drejtë të vendosë lirisht por duke respektuar vullnetin e njëri-tjerit nëse duan të kenë fëmijë. Për kohën pastaj numrin e intervalit të lindjeve dhe të informohen për mjetet e duhura për realizimin e tyre. Ligji që na ka ardhur si draft për votim thotë që i jep të drejtën edhe individit që me vendosë lirshëm e ne jemi kundër kësaj që është propozuar dhe mendojmë që është shumë e dëmshme për shoqërinë nëse e lejojmë kështu me kalu. Pra vetëm çiftet bashkëshortore kanë të drejtë me vendosë me vullnetin e tyre për të pasur femijë, e asesi individi apo gruaja e pamartuar duke ua mohuar të drejtën fëmijut me pasë babë edhe edhe nënë. Kërkoj mirëkuptim që ky amandament të përkrahet”, ka deklaruar Korenica.