Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, është liruar nga akuza për sulm ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha në selinë e KQZ-së.
Aktgjykimi ndaj Kurteshit u shpall të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjykatësi Sabit Sadikaj.
Sipas gjykatësit Sadikaj, Kurteshi lirohet nga akuza pasi nuk është vërtetuar se ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.
“Nga faktet e vërtetuara, dëgjimi i dëshmitarëve dhe provat që gjenden në shkresat e lëndës nuk arrihet të vërtetohet se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet apo vepra penale saktësisht me të cilën ngarkohet nuk paraqet elementet e veprës penale të sulmit”, tha gjykatësi.
Sipas gjykatësit, për veprën penale për të cilën akuzohej Kurteshi, u vërtetua se nuk përbën vepër penale.
“Eventualisht, në këtë rast kemi të bëjmë me plotësimin e elementeve të veprës kundërvajtëse. Pra, në këtë rast nuk janë plotësu elementet e veprës penale për të cilën akuzohet i pandehuri”, tha Sadikaj.
Aktgjykimi u shpall në mungesë të Kurteshit.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Kurteshi ngarkohej se më 25 gusht 2021 në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë, me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha, shkruan Betimi për Drejtësi.
Sipas aktakuzës derisa i dëmtuari Berisha ishte duke iu shërbyer me kafe dhe pa vendosur maskë, fillimisht i pandehuri i drejtohet me fjalët “djalo ku e ki maskën?” dhe pasi që i dëmtuari nuk përgjigjet, atëherë i pandehuri Kurteshi e kapë për krahu të dëmtuarin duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” dhe e shtynë nga mbrapa me dy duart.
Me këtë, Kurteshi akuzohej se ka kryer veprën penale “Sulm” nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Ndryshe, më 25 gusht 2021 ishte raportuar se Policia e Kosovës (PK) ka nisur hetimet ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si i dyshuar se ka sulmuar një person.


