Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një togeri policor nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “fotografimit dhe incizimeve tjera të paautorizuara”.
Sipas njoftimit nga IPK-ja, departamenti i hetimeve pas pranimit të informatës ka dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet të jetë kryer vepra penale. Në njoftim theksohet se kjo ka ndodhur në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.
IPK-ja ka thënë se zyrtarët e saj kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë.
“Në kuadër të veprimeve hetimore është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe është konfiskuar një telefon mobil i cili pritet të dërgohet për ekzaminim të mëtutjeshëm forenzik. IPK pas veprimeve fillestare hetimore ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit të dyshuar”, thuhet në njoftim.
Inspektorati Policor ka thënë se është i përkushtuar në përmbushje të misionit ligjor në konsultim të vazhdueshëm edhe me prokurorin përgjegjës për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.


