10 prej 18 të akuzuarve në rastin “Subvencionet V” e kanë pranuar fajësinë dhe e kanë rikonfirmuar marrëveshjet e tyre për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale.
Prokurori special Rafet Halimi, në seancën e shqyrtimit fillestar për këtë rast që është mbajtur të mërkurën ka thënë se marrëveshjet për pranim të fajësisë janë në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
“Sa i përket pranimit të fajësisë për të pandehurit që kanë lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë e njoftoj edhe një herë gjykatën se marrëveshjet janë përpiluar në përputhje me diaspozitat e Kodit të Procedurës Penale … është në përputhje të plotë edhe me provat për veprat penale të paraqitura në aktakuzë”, ka theksuar Halimi.
Të akuzuarit që e kanë pranuar fajësinë janë Burim Selmani, Kastriote Bajrami – Sejdiu, Valon Hoti, Granit Avdyli, Adushe Ukshini, Faruk Imeri, Avdullah Tërstena, Blerton Ostërgllava, Avdyl Sejdiu e Muzafer Maliqi.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, i aprovoi këto marrëveshje për pranimin e fajësisë meqë sipas saj, ato nuk kanë të meta ligjore as për nga provat e paraqitura. Ndaj të akuzuarve që pranuar fajësinë është veçuar procedura dhe pritet që aktgjykimi për ta të shpallet më 13 maj. Të pandehurit që nuk e kanë pranuan fajësinë gjyqtarja i udhëzoi për ankesë brenda 30 ditësh lidhur me provat dhe aktakuzën.


