Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë hapëse të Forumit Ekonomik të Vjenës që po zhvillohet në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje.
Bëhet e ditur se në fjalën përshëndetëse të tij, para të pranishmëve, ai theksoi partneritetin dhe miqësinë tonë me Bullgarinë, si dhe ndërmjet të gjitha vendeve anëtare të forumit.
Si mbështetës i këtij forumi, kryeministri tha se ne e njohim kontributin e rëndësishëm që ky organizim ka në bashkëpunimin rajonal, që shtrihet nga Adriatiku e deri në Detin e Zi”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Kurti udhëton për në Bullgari, merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, i cili kësaj radhe mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Kreu i qeverisë do të marrë pjesë bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Fillimisht do të jetë i pranishëm në ceremoninë hapëse të forumit ku do të mbajë një fjalë rasti. Ndërkaq, nesër do të jetë pjesë e sesionit të diskutimit “Pyetje për vizionarët: Roli i inovacionit, teknologjisë dhe arsimit për bashkëpunimin ekonomik rajonal”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Bëhet e ditur se pjesëmarrës në takimet e Sofjes do të jetë dhe kryeministri i Bullgarisë, Dimitar Glavchev, si dhe ministra, zyrtarë qeveritarë e personalitete nga Evropa.
Me këtë rast, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime bilaterale me homologun e Bullgarisë, Dimitar Glavchev dhe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.


