Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, në përbërje nga Duda Balje, kryetare, Nasuf Bejta, Drita Millaku, dhe Labinotë Demi Murtezi anëtarë, vizituan sot Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan.
Anëtarët e komisionit u pritën nga drejtori i kësaj Qendre Korrektuese, Ylber Topalli dhe stafi i tij. Drejtori Topalli me këtë rast, i njoftoi anëtarët e komisionit për kushtet e kësaj qendre dhe sfidat me të cilat përballen.
Ai bëri të ditur se në këtë qendër aktualisht janë 26 gra në mbajtje të dënimit dhe paraburgimit, ndërkaq, tha ai, 4 nga to janë duke iu nënshtruar terapisë psikiatrike.
Lidhur me trajtimin e këtyre rasteve, shtoi Topalli, duhet një kujdes i veçantë nga stafi, si dhe personeli mjekësor.
U tha po ashtu se, në këtë qendër ofrohen edhe aktivitete, projekte dhe programe të ndryshme, ndërsa vizitat familjare bëhen sipas rregullave.
“Anëtarët e komisionit u interesuan për kushtet që u ofrohen këtyre personave, për trajtimin mjekësorë etj. Anëtarët e komisionit vizituan edhe disa hapësira të kësaj qendre, me ç ‘rast takuan dhe biseduan me disa nga gratë që janë në vuajtje të dënimit në këtë qendër. Ato me këtë rast paraqitën edhe disa kërkesa, për të cilat stafi menaxhues i qendrës u zotua se do të shqyrtohen”, njofton Kuvendi i Kosovës.


