Deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se ushtria serbe po provokon afër kufirit me Kosovë janë vazhdimësi e fushatës dezinformuese drejtuar kundër Forcave të Armatosura të Serbisë, ka thënë të premten kryetari i Komisionit për zbatimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike (Marrëveshja e Kumanovës), Zoran Jovanoviq.
Kryeministri Kurti ka njoftuar se të enjten gjatë ditës janë vërejtur njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë disa metra larg kufirit me Kosovën. Me anë të disa pamjeve të publikuara në faqen zyrtare në Facebook, Kurti ka thënë se këta trupa janë parë në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.
Por Jovanoviq ka thënë se ushtria po kryente detyra të rregullta për sigurimin e linjës administrative dhe kontrollin e zonës së sigurisë tokësore, “në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara”. Sipas tij, në realizimin e detyrave dhe zbatimin e kësaj marrëveshje, njësitë e ushtrisë serbe bashkëpunojnë me KFOR-in.
“Përhapja e mashtrimeve dhe dezinformatave, të cilat janë ekspozuar shumë herë deri më tani si gënjeshtra më e zakonshme, janë pjesë e një fushate më të gjerë të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë, e cila ka për qëllim ngritjen e tensioneve, mashtrimin e opinionit, krijimin e kushteve të padurueshme për jetën e serbëve në Kosovë dhe shmangien e detyrimit të pranuar ndërkombëtarisht”, ka theksuar Jovanoviq.
Ai ka vlerësuar se në sigurinë e vijës administrative “nuk ka vend për të ashtuquajturën polici e Kosovës apo të ashtuquajturat Forca të Sigurisë së Kosovës, pasi që Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshja Ushtarako-Teknike nuk njohin subjektet e tjera përveç pranisë ndërkombëtare civile dhe forcave të sigurisë së Serbisë”.
Jovanoviq tutje ka thënë se autoritetet e Kosovës po tregojnë shpërfillje të plotë të marrëveshjeve të dakorduara.


