Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë mbrojtur përdorimin e energjisë bërthamore në kontekstin e ndryshimeve klimatike, tek kanë folur përpara fillimit të Samitit të Energjisë Bërthamore në Bruksel, shkruan AP.
Kryeministri Orban përveç argumentimit se çështjet e energjisë ishin shpesh peng i qasjeve ideologjike, ka shprehur edhe aprovimin e Hungarisë për energjinë bërthamore.
“Çështja e energjisë shumë shpesh është peng i qasjeve ideologjike, gjë që është e keqe. Energjia nuk është çështje ideologjike dhe as gjeopolitike. Energjia është çështje energjie. Pra, ne do të donim të dilnim nga pozicioni peng i energjisë bërthamore dhe të afrohemi dhe ta konsiderojmë atë ashtu siç është. Ky është i vetmi burim energjie që mund të jetë jo i rrezikshëm për njerëzit në aspektin e ndotjes dhe në të njëjtën kohë të prodhojë sasi të madhe, pra atë që na nevojitet. Kështu që Hungaria është shumë në favor të kësaj”, ka deklaruar Orban.
Ndërkohë që në një deklarim për mediat pas mbërritjes në Samit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e cilësoi energjinë bërthamore si kusht të mbijetesës. “Rëndësia që i jepet këtij samiti na tregon se sa do të kemi nevojë për energji elektrike në të ardhmen. Për ta thjeshtuar, pa energjinë bërthamore nuk do të mund të mbijetojmë. Dhe ardhja e inteligjencës artificiale, automjetet elektrike, dembelizmi ynë në lidhje me minierat e qymyrit, domosdoshmëria për të hequr dorë nga lëndët djegëse fosile, energjia bërthamore është energji e gjelbër, gjithçka tjetër na vendos në pozicionin që do të duhet të ndryshojmë normat tona ligjore dhe në të njëjtën të ndryshojmë zakonet tona”, ka thënë Vuçiq.


