Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se vendimi për zëvendësimin e tabelave në veri duhet të zbatohet vetëm pas konsultimeve me Komisionerin e Gjuhëve dhe duke interpretuar pozitivisht Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Tabelat në gjuhë cirilike me emërtimet e vendbanimeve me shumicë serbe në komunat veriore të enjten janë zëvendësuar me tabela në të cilat emri i vendbanimit shkruhej edhe në gjuhën shqipe. Por të premten, shumica e tabelave janë ngjyrosur aty ku emri i vendbanimit ishte në gjuhën shqipe.
E Szunyogu ka thënë se për ndërrimin e tabelave duhet të merren parasysh komunitetet e prekura.
“Me iniciativën e fundit për zëvendësimin e tabelave zyrtare që tregojnë emrat e vendeve në veri të Kosovës, u bëj thirrje autoriteteve që ta zbatojnë procesin vetëm pas konsultimit me Komisionerin e Gjuhëve dhe duke interpretuar pozitivisht Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo do të thotë të merren parasysh komunitetet e prekura”, ka shkruar ai në “X”.


