Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për një “pauzë humanitare” në Gaza, duke thënë se kjo do të çonte në një armëpushim të qëndrueshëm. TheGuardian ka raportuar të martën se nisja e anijes nga Qiproja për në Gazë nëpërmjet korridorit “është rezultat i bashkëpunimit të paprecedentë ndërkombëtar”.
“Derisa flasim, një anije po niset nga Qiproja për në Gazën veriore. Ajo bart llojin elementar të ndihmës humanitare”, ka thënë ajo duke folur në Parlamentin Evropian.
Von der Leyen ka theksuar se situata në terren është më dramatike se kurrë më parë.
“Të gjithë kemi parë raporte të fëmijëve që vdesin nga uria. Kjo nuk duhet të jetë dhe ne duhet të bëjmë të pamundurën për ta ndaluar”, ka theksuar zyrtarja e Bashkimit Evropian.
“Natyrisht, Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe të luftojë kundër Hamasit. Por, mbrojtja e civilëve duhet të sigrohet në çdo kohë në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Për momentin ka vetëm një mënyrë për të rivendosur një rrjedhë adekuate të ndihmës humanitare. Populli i Gazës ka nevojë për një pauzë të menjëhershme humanitare që do të çonte në një armëpushim të qëndrueshëm – e ata kanë nevojë për këtë tani”, ka shtuar ajo.


