Në fshatin Krushevë e Madhe të Klinës, mbrëmjen e së shtunës treni goditi një furgon ku si pasojë e këtij aksidenti vdiqën dy persona, burrë e grua. Në polici thonë që shoferi nuk respektoi shenjat e trafikut, e banorët ankohen për mungesë të rampave dhe sinjalizimit për hekurudhë.
Shenjat që mezi duken, janë të vetmet që sinjalizojnë që rruga kryqëzohet me hekurudhë. E në këtë vendkalim, të shtunën mbrëma dy persona, burrë e grua, vdiqën si pasojë e aksidentit mes një furgoni dhe trenit që ishte nisur nga Peja për në Prishtinë.
Shenja të aksidentit të një dite më parë gjenden kudo në dhe rreth hekurudhës që kalon nëpër fshatin Krushevë e Madhe të Klinës. Timoni i automjetit të aksidentuar gjendet rreth 15 metra nga vendi i përplasjes.
Qytetari, Gjon Palushaj tha se ngjarja ndodhi teksa ai punonte në kopshtin e shtëpisë e borinë e trenit e dëgjoi mjaft vonë.
“Ta them të vërtetën treni nuk fishkëllej, vetëm kur është afruar diku 30 metra, ka fishëklluar. Nuk kemi ditë asgjë vetëm kur e ka goditur treni, jemi nisë vrap, ka shkuar vëllai Frroku e ka nxjerrë kufomën, burrin prej kerrit. Ndihmën u munduam t’ia japim por nuk patën fat. Gruaja është gjetur pas 40 minutash”, ka thënë Gjon Palushaj, qytetar.
E Nikollë Dodaj, tha se kjo nuk është hera parë që në fshatin e tyre ndodhin aksidente në hekurudhë. Ai kërkon që të vendoset rampa.
“Kërkesë e fshatit tonë është që të na e vendosin laurat ose ndonjë mjet sinjalizues edhe për njerëzit që nuk e njohin terrenin, sikur ne banorët që jetojmë këtu. Rreziku është për çdo moment edhe për fëmijë edhe për njerëz me vetura por edhe për njerëz që vijnë të na vizitojnë”, ka thënë Nikollë Dodaj, qytetar.
Në komunikatën e policisë thanë që dyshimet janë që shoferi i furgonit nuk e ka respektuar shenjën në trafik.
“Aksidenti dyshohet se ka ndodhur pasi drejtuesi i automjetit (i vdekuri) nuk e ka ndaluar automjetin në shenjën STOP para vendkalimit mbi hekurudhë me ç ‘rast është goditur nga treni”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Banorë të fshatit thanë se aksidentet në hekurudhë janë mjaft të shpeshta. Ata në formë proteste vendosën tre traktorë për të bllokuar rrugën edhe për vetura edhe për tren. Në Krushevë të Madhe ka katër vend ku kryqëzohet hekurudha dhe rruga, në asnjë vend kalim nuk ka të vendosura rampa e shenjat që paralajmërojnë hekurudhën, i është fshirë ngjyra nga vjetërsia.


