Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyn po qëndron për vizitë zyrtare në Turqi ku është takuar me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.
Në adresimin e përbashkët pas takimit, presidenti turk ka theksuar se integriteti territorial, sovraniteti, pavarësia dhe siguria e Ukrainës, si partner strategjik, është shumë e rëndësishme për Turqinë. Presidenti turk ka theksuar gatishmërinë për një samit paqeje me pjesëmarrjen edhe të palës ruse. Gjatë takimit, kemi shkëmbyer qëndrimet edhe për çështje tjera duke përfshirë rrugët e eksportit dhe sigurinë e lundrimit që janë shumë të rëndësishme për stabilitetin në Detin e Zi, ka thënë Erdogan.
Ndërsa presidenti i Ukrainës Zelenski, bisedimet me presidentin turk i ka quajtur të frytshme dhe e ka falënderuar Turqinë për përpjekjet e saja për ndërmjetësimin rreth eksportit të drithit të Ukrainës përmes Detit të Zi dhe shkëmbimin e të burgosurve të luftës.
Megjithatë, Zelenski e ka hedhur poshtë idenë e negociatave të drejtpërdrejta me Rusinë, duke argumentuar se Ukraina dhe liderët perëndimor duhet të vendosin për paqen sipas kushteve të tyre.
Gjatë ditës, presidenti ukrainas e ka vizituar një kantier ndërtimi pranë Stambollit ku Turqia po e ndërton një anije të vogël luftarake për Ukrainën, të njohura si ‘korvetë’.


