Qeveria e Brazilit ka thënë të premten se vrasja e mbi 100 njerëzve të cilët po prisnin për ndihmë humanitarë në Gazë, tregon se veprimi i ushtrisë izraelite në enklavën palestineze nuk ka “kufij as ligjorë e as etikë”.
Ajo bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në luftën e Izraelit në Gazë kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Njerëzimi po i lë në baltë civilët në Gazë. Është koha të parandalohen masakra të tjera”, tha Ministria e Jashtme e Brazilit në një komunikatë. “I takon bashkësisë ndërkombëtare ta ndalë këtë dhe t’i shmangë mizoritë e tjera”.
Të enjten, forcat izraelite i vranë më shumë se 100 palestinezë të cilët ishin duke i pritur dërgesat me ndihma humanitare, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë.
Palestinezët duke marrë ndihmë mjekësore në një spital në veri të Gazës, pasi ushtarëve izraelitë dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri ndaj një turme që ka qenë në pritje për të marrë ndihmë humanitare.
Zyrtarët izraelitë e kanë kundërshtuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve dhe e kanë fajësuar turmën që i rrethoi kamionët me ndihma për vdekjet, duke thënë se njerëzit u shkelën apo shtypën.
“Qeveria e Netanyahut ka treguar përsëri, përmes veprimeve dhe deklaratave, se veprimi ushtarak i saj në Gazë nuk ka kufi ligjorë apo etikë”, tha Brazili.
Brazili dhe Izraeli kanë tani mosmarrëveshje diplomatike për shkak të deklaratës së presidentit brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, i cili e lidhi luftën e Izraelit në Gazë me gjenocidin nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Izraeli e përshkroi deklaratën e tij si sulm serioz antisemitike dhe i bëri thirrje atij të kërkojë falje.
Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje.
Më shumë se 30.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e cila ka shkaktuar rrënim të madh në enklavë.
Vendi i Amerikës Jugore, i cili e ka dënuar sulmin e Hamasit në Izraeli duke e quajtur “terrorist”, ka përsëritu se armëpushimi, hyrja e ndihmave në Gazë dhe lirimi i të gjitha pengjeve, janë “urgjencë absolute”.


