Sot në Dublin të Irlandës kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e bëri një vizitë në Universitetin e Qytetit të Dublinit (Dublin City University), ku u mirëprit dhe u takua me presidentin e Universitetit të Qytetit të Dublinit (Dublin City University), Daire Keogh, zëvendëspresidentin për Hulumtim, profesor John Doyle, Drejtoren Ekzekutive për Angazhim të Jashtëm, Laura Mahoney dhe Dekanin e Asociuar për Hulumtim në këtë universitet, Dr. Gëzim Visoka, si dhe përfaqësues nga Instituti për Zgjidhjen e Konflikteve Ndërkombëtare dhe Rindërtim (IICRR).
Tema qendrore të takimit ishin bashkëpunimet e mundshme përmes programeve të shkëmbimeve në nivel të studentëve dhe stafit akademik, rritja e kapaciteteve universitare në fushën e kërkimeve, të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe drejtësia tranzicionale.
Kryeministri Kurti foli për rezultatet e qeverisjes së deritanishme të përkthyera në indikatorë pozitivë ekonomikë dhe demokratikë, politika të prezantuara për herë të parë, angazhimin dhe projektet e qeverisë me fokus te komunitetet joshumicë dhe veprimet dhe hapat e ndërmarrë në fushën e drejtësisë tranzicionale.


