Me vendim të kryetarit të trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari, është mbyllur për publikun seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte gjatë vitit 1998-1999 në Kosovë, Sladan Trajkoviq.
Gjykatësi, Mentor Bajraktari para fillimit të seancës bëri të ditur se seanca e sotme është e mbyllur për publikun për shkak të ndjeshmërisë së kësaj çështje, përkatësisht dhunimit.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq i cili për krime lufte kundër popullatës civile.
Sipas aktakuzës, Trajkoviq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth të kësaj komune, i njëjti individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë duke shkelur rëndë rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare si pjesëmarrës i forcave policore dhe ushtarake serbe, shkruan Betimi për Drejtësi.
Aktakuza thotë se i njëjti ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt, duke shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtarë gjatë kohës së luftës, konkretisht nenin 3 paragrafi 1 shkronja a.b.c të përbashkët me katër konventa (1a dhe b) të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht të vitit 1949 dhe protokollet shtesë.
Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.