Banka Qendrore e Kosovës ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin në Bruksel lidhur me ndalimin e përdorimit të dinarit si mjet pagese në Kosovë.
Në përgjigje nga BQK-ja është thënë se kohë më parë ka shprehur gatishmërinë për angazhim që të takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS).
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro)..Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se të martën do të mbahet takimi në mes të Kosovës e Serbisë për të diskutuar “çështjen e dinarit”.
Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massralli, ka thënë se të dyja palët kanë konfirmuar se do të dërgojnë përfaqësuesit e tyre për këtë takim.
Ajo, gjithashtu, ka thënë se takimi do të zhvillohet në “formatin e zakonshëm i dialogut”.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka paralajmëruar se një takim i mundshëm i nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk pritet të realizohet pa u zhvilluar një takim paraprak në nivel kryenegociatorësh.
Nga 1 shkurti i këtij viti ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, që e përcakton euron si monedhë të vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë.
Dinarët mund të mbahen në llogari bankare ose të shkëmbehen në euro.
Banka Qendrore e Kosovës ka siguruar se rregullorja e saj nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro në bankat e licencuara në Kosovë dhe ka bërë thirrje për hapjen e këtyre llogarive.
Në komunikatën e bërë për medie thuhet se “qytetarët që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024”.


