Senati ka miratuar përfundimisht projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për migrantët që parashikon hapjen e dy qendrave në territorin shqiptar për të pritur 3 000 migrantë.
Miratimi mori dritën jeshile pas 93 votave pro, 61 kundër dhe asnjë abstenim.
Miratimi u shoqërua me duartrokitje nga mazhoranca.
”Kjo marrëveshje është pjesë e një marrëdhënieje të vjetër miqësie midis Italisë dhe Shqipërisë dhe është një pjesë e politikës që qeveria Meloni po ndjek për të qeverisur flukset migratore në Mesdhe”, deklaroi senatorja Daniella Ternullo e “FI”.
”Të kesh një aleat në menaxhimin dhe luftimin e një fenomeni që është gjithnjë e më i vështirë për t’u përballur është thelbësor. Për këtë arsye ne besojmë se bashkëpunimi me Shqipërinë është strategjik”, theksoi ajo.
“Tirana është ofruar të mirëpresë deri në 3 000 migrantë që presin të dinë nëse mund të shkelin në territorin italian apo duhet të riatdhesohen. Dhe protokolli që po shqyrtojmë hyn në themel të të gjitha procedurave të nevojshme për menaxhimin e qendrave të paraburgimit, të cilat në fakt do të jenë italiane”, tha Ternullo.
”Besoj se kjo marrëveshje do të shikohet me shumë vëmendje nga ligjvënësit e vendeve të tjera, edhe sepse nuk ka shkelje të së drejtës së Bashkimit Evropian dhe apo të asaj ndërkombëtare. Sigurisht, me këtë protokoll nuk do të ndalojmë apo zgjidhim çështjen e emigrantëve në Mesdhe, por do të kemi një mjet shtesë për të menaxhuar ardhjet, si pjesë e një strategjie të përgjithshme”, përfundoi ajo.
“Italia ka treguar një mënyrë për të trajtuar më efektivisht flukset e migrimit, të cilat duhet të menaxhohen në një kuadër evropian dhe ndërkombëtar, duke ndërthurur sigurinë dhe solidaritetin”, deklaroi kryetari i ”Noi moderati”, Maurizio Lupi.
”Marrëveshja me Shqipërinë, e vlerësuar edhe nga presidenti socialist gjerman Olaf Scholz, mund të jetë model edhe për Bashkimin Evropian”, theksoi ai.


