Partia e dytë më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Aleanca për Shqiptarët në prag të zgjedhjeve parlamentare, që mbahen më 8 maj, është goditur nga një përçarje e madhe. Kjo ka ardhur pas vendimit të kryetarit të këtij subjekti politik që në këto zgjedhje të shkohet në front të përbashkët me partitë opozitare shqiptare.
Nënkryetari i kësaj partie, Elmi Haziri, në një intervistë për “Info Plus” në RTK, duke folur për përçarjet brenda kësaj partie, ka parapëlqyer që ato t’i quajë mosmarrëveshje.
“Kanë dalë në sipërfaqe mosmarrëveshjet dhe jo përçarjet, për shkak se bëhen përpjekje maksimale që duke respektuar organet e partisë dhe statutin, Aleanca për Shqiptarët të vazhdojë e unifikuar si një aset shumë i rëndësishëm në skenën politike në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Haziri.
Ai tutje ka theksuar se deri te kjo situatë ka ardhur për shkak se ka ekzistuar një hendek mes kryetarit dhe organeve tjera të partisë.
“Ka qenë një periudhë në të cilën kryetari Taravari ka pasur takime brenda dhe jashtë vendit, me eksponentë politikë, me kryeministrin e Shqipërisë, me kryeministrin e Kosovës, me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe ne si strukturë e partisë nuk kemi qenë të informuar për mbarëvajtjen e takimeve, edhe pse kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që përmes kryetarit t’i thërrasim organet e partisë dhe të përgatitemi për zgjedhje”, ka shtuar Haziri.
Ai tutje tha se kryesia e partisë para disa muajve ka marrë vendim që të marrë pjesë e vetme në zgjedhje dhe se këtë vendim mund ta ndryshojë vetëm Kuvendi Qendror, që është organi më i lartë i partisë.
Sipas tij vetëm pasi u shterën të gjitha mundësitë për konvokim të Kuvendit, kryetari i Kuvendit Qendror, Zijadin Zela, duke u thirrur në obligimet statutare e ka ftuar Kuvendin Qendror të partisë, i cili do të mbahet të shtunën në Shkup.
Ai tha se këtyre zhvillimeve i ka paraprirë njoftimi i kryetarit Taravari përmes Facebookut, që ka marrë vendim që të shkojë në zgjedhje bashkë me bllokun opozitar.
“Për mua personalisht dhe për gjithë strukturat e partisë është i papranueshëm një komunikim i tillë”, ka thënë Haziri.
Në anën tjetër, deputeti i kësaj partie, Halil Snopçe, tha se kjo është një përpjekje e kryetarit Arben Taravari, që të pozicionohet aty ku e ka bazën.
“Aleanca për Shqiptarët u formua si një shpresë e popullit për ta sjellë ndryshimin sepse partia e Ali Ahmetit është mbi 20 vjet në pushtet, me korrupsion, me krim të organizuar dhe mos funksionalitet të gjyqësisë e sistemeve tjera të shtetit. Shpresa ishte që Aleanca për Shqiptarët do të arrinte ta rrëzonte BDI-në”, ka thënë ai.
Sipas Snopçes kërkesa e kryetarit Taravari për ta caktuar mbledhjen e Kuvendit Qendror nuk u pranua nga Zijadin Sela. Sipas tij, qëllimi i thirrjes së kryetarit Taravari për të shkuar bashkë me opozitën është i logjikshëm, pasi kjo parti i ka marrë votat e elektoratit kundër BDI-së dhe kundër pushtetit që i ka zhvatur qytetarët e këtij vendi në vazhdimësi.
Ai ka thënë se me shkarkimin e djeshëm të dy drejtorëve që janë pjesë e këtij subjekti politik kishte një tentativë nga ana e Qeverisë për puç në Aleancën për Shqiptarët, për të anashkaluar kryetarin dhe organet tjera të partisë.


