Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dërguar një letër ngushëllimi presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për vrasjen e tre ushtarakëve në Jordani.
Në letrën e bërë publike të enjten, Rama shkroi se në këto momente të vështira, “duhet të jemi të bashkuar, e si aleate, Shqipëria qëndron përkrah SHBA-së me solidaritet dhe vendosmëri”.
“I dashur Joe, në emër të popullit shqiptar pranoni ngushëllimet tona për rreshterin William Rivers, specialisti Kennedy Sanders dhe specialistja Breonna Moffett, tre shpirtra të guximshëm që bënë sakrificën finale duke mbrojtur lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, ka shkruar Rama.

Tre rezervistët e ushtrisë amerikane u vranë të dielën (28 janar) nga një sulm me dron në një bazë amerikane në Jordani. SHBA-ja ka fajësuar Iranin për përfshirje në sulm, derisa ka paralajmëruar se “do ta hetojnë tërësisht këtë rast”.


