Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i shoqëruar edhe nga ministri i Punëve të Brendshme kanë vizituar të enjten pjesën veriore të vendit, respektivisht zonën ku po ndërtohen disa shtëpi të shqiptarëve e që ditëve të fundit kanë qenë cak i disa personave që kanë shkuar grafite.
Në këtë rast ministri Krasniqi ka njoftuar se shumë shpejt do të hapet thirrja e re në vlerë prej 3 milionë eurosh për ndërtimin e shtëpive të reja në veri të vendit.
Ai theksoi se të gjithë do të kthehen në shtëpitë e tyre, sepse sipas tij, kjo është e drejtë elementare.
Derisa ka publikuar edhe një video në Facebook, ku shihet bashkë me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, duke parë punimet nga afër.
“Të gjithë do të kthehen në shtëpitë e tyre sepse kjo është e drejtë elementare dhe këtë do ta garantojë Qeveria e Republikës së Kosovës. Shumë shpejt do të hapim thirrjen e re në vlerë prej 3 milion eurosh për ndërtimin e shtëpive të reja. Kërcënimet nuk na trembin”, tha Krasniqi.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, Krasniqi publikoi disa fotografi ku shiheshin grafite me simbole nacionaliste serbe në shtëpitë e sapondërtuara të shqiptarëve.
Ministri tha se grafitet dëshmojnë mendësinë e strukturave kriminale.