Skuadra e Leipzigut ka një mision të vështirë në xhiron e 18-të në Bundesligën e Gjermanisë. Në këtë xhiro Leipzigu e pret skuadrën e Bayer Leverkusenit në ndeshjen që luhet të shtunën prej orës 18:30. Leverkuseni është lider i Bundesligës me 45 pikë, katër më shumë se Bayern Munichu, i cili ka një ndeshje më pak të luajtur. Leipzigu është i katërti në tabelë me 33 pikë, ndërsa ndaj Leverkusenit futet pas humbjes që e pësoi vikendin e shkuar në shtëpi nga Eintracht Frankfurti. Leverkuseni i Granit Xhakës vlerësohet favorit në këtë përballje duke pasur parasysh formën fantastike këtë edicion. Leverkuseni është ekipi i vetëm që ende nuk di për humbje në kampionat, ndërsa nuk ka pësuar disfatë në 26 ndeshjet e luajtura këtë edicion në të gjitha garat.
Të shtunën, prej orës 15:30, Borussia Dortmundi synon fitoren e dytë rresht pasi luan në udhëtim te Koelni që është i parafundit në tabelë. Në të njëjtën kohë luan edhe Sttutgarti që e kërkon fitoren ndaj Bochumit pas humbjes befasuese vikendin e shkuar nga Borussia Moenchengladbachu.
Gladbachu luan të dielën prej orës 17:30 në shtëpi kundër Augsburgut, në ndeshjen e fundit të kësaj xhiroje. Ndërkohë Bayerni është favorit ndaj Werder Bremenit në duelin që nis në orën 15:30 dhe zhvillohet në stadiumin “Allianz Arena”. Bavarezët synojnë fitoren e radhës në kampionat duke pasur parasysh formën e Werder Bremenit, i cili në tri ndeshjet e fundit ka marrë vetëm tri pikë.


