Ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka nderuar viktimat e Masakrës së Reçakut në përvjetorin e 25-të të kësaj masakre.
Walkeri ka thënë se nga sakrifica e shumë djemve të fshatit, Kosova sot gëzon një demokraci plotësisht funksionale.
Ai ka thënë se ndihet krenar që ndodhet në mesin e familjarëve të viktimave këtë ditë.
“Kjo nuk është vizita ime e parë në Reçak, mendoj se është e 21, 22 apo 23. Unë vij të nderoj fshatin Reçak, vij të përshëndes miqtë e mi, familje nga fshati Reçak, disa prej tyre i njoh prej 25 vitesh, disa fatkeqësisht kanë ndërruar jetë. Kjo është hera e parë që duhet të vij me shkop, por prapë dua të jem në Reçak në çdo rast që mundem. Për mua është shumë emocionuese. Është një histori e mrekullueshme për të cilën populli i këtij fshati fatkeqësisht është dashur të sakrifikojë shumë djem të fshatit. Ju tani keni një Republikë të Kosovës, një president, një kryeministër, një demokraci plotësisht funksionale dhe jam shumë krenar që jam këtu me ju në këtë vend që do të thotë shumë për mua, për popullin e Reçakut dhe për të gjithë Kosovën”, është shprehur ai.
Në fshatin Reçak të Shtimes, në orët e para të mëngjesit të 15 janarit, 1999, u dëgjuan të shtënat e para me armë zjarri.
Fshati që ndodhet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, kishte filluar të braktisej nga banorët, për shkak të afërsisë në të cilën ishin vendosur policia dhe ushtria serbe.
Gjatë një aksioni disaorësh, forcat policore dhe paramilitare serbe vranë atë ditë 45 civilë shqiptarë në Reçak.
Krerët e institucioneve të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti sot në Reçak të Shtimes, kanë bërë homazhe në nderim të 25 vjetorit të masakrës së Reçakut, njëra ndër masakrat më të tmerrshme që u krye ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.


