Policia e Kosovës njofton se festa e Vitit të Ri në vend ka kaluar e qetë, pa incidente serioze.
Përmes një njoftimi për medie, Policia bën të ditur se për të menaxhuar situatën e sigurisë gjatë festave të fundvitit, ka hartuar dhe zbatuar një plan operativ, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Policia e Kosovës për të menaxhuar me situatën e sigurisë gjatë periudhës së festave të fund vitit dhe për Vitin e Ri, ka hartuar dhe zbatuar një urdhër operativ për shtimin e masave të sigurisë dhe prezencës policore në lokacione apo ambiente ku pritej të ketë përqendrim apo prezencë më të madhe të qytetarëve gjatë festimeve. Në fokus të këtij urdhri operativ, përveç ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ka qenë mbikëqyrja dhe kontrolli në trafikun rrugor, menaxhimi i pikave kufitare përfshirë aeroportin ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
Bazuar nga raportimet e Drejtorive Rajonale Policore, bëhet e ditur se nata e Vitit të Ri, ka kaluar kryesisht e qetë.
“Bazuar në raportimet e pranuara nga Drejtoritë Rajonale Policore, nata e vitit të ri, ndërrimi i mot moteve, ka kaluar kryesisht i qetë, nuk është raportuar ndonjë rast apo incident madhor, me pasoja fatale, megjithëse në disa rajone janë raportuar disa incidente me lëndime trupore, dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit pakujdesshëm të mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit. Mund të veçohet një rast në Prishtinë, i cili në konsultim me prokurorin policia e ka iniciuar si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ku një plumb bredhës ka goditur një qytetare, e cila është dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve është jashtë rreziku për jetë”, thuhet në njoftim.
“Policia e Kosovës uron të gjithë qytetarët që ky vit i ri (2024) të jetë vit i mbarë për të gjithë, të jetë vit i vazhdimit të bashkëpunimit dhe transparencës, gëzimit të lirisë dhe të drejtave njerëzore pa dallim, ku qytetarët e të gjitha komuniteteve të jetojnë dhe veprojnë të sigurt, të qetë dhe në harmoni të plotë me njëri tjetrin”, thuhet në fund.


