Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin më 14 prill 2023, Bedri Nika ish-kryetar i Degë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Drenas dhe nipin e tij Albian Nika ishin dënuar me 1 vit e gjysmë burgim dhe me 20 mijë euro gjobë lidhur me akuzat për shpërlaje parash.
Bedri dhe Albian Nika akuzoheshin se kishin siguruar 118 bankënota në vlerën prej 50 euro, në shumë totale prej 5 mijë e 900 euro nga një burim i panjohur, duke u ngarkuar kështu Bedri Nika me veprën penale “Blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale” dhe veprën penale “Pastrimi i parasë”, me të cilën vepër po ngarkohet edhe i akuzuari Albian Nika, raporton Betimi për Drejtësi.
Fillimisht sipas vendimit të Apeli, ankesë brenda afatit kohorë ka parashtruar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), duke i propozuar Apelit që të ndryshoj vendimin e Themelores sa i përket lartësisë së dënimit dhe të shqiptoj dënim më të lartë.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Bedri Nika, avokati Durim Osmani në ankesën i ka propozuar Apelit që çështjen ta kthej në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale, shkeljes së ligjit penale dhe vendimit mbi sanksionin penal dhe konfiskimin e dobisë pasurore.
Ndërsa, mbrojtësi i Albian Nikës, avokati Përparim Haliti në ankesë i ka propozuar Apelit që vendimi i Themelores të ndryshohet, duke liruar nga akuza Albian Nikën ose edhe çështjen ta kthej në rigjykim.
Por, Apeli në vendimin e tij ka sqaruar se pretendimet ankimore të PSRK-së dhe të avokatëve Osmani dhe Haliti nuk qëndrojnë dhe se këto pretendime nuk ndikojnë në anulimin e aktgjykimit të ankimuar.
Apeli sqaron po ashtu se aktgjykimi i Themelores është i arsyetuar mbi të gjitha faktet vendimtare që kanë të bëjnë me veprën penale pastrim i parave duke shtuar se provat janë vlerësuar në mënyrën e duhur.
Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se ekspertja e Agjencisë Kosovare të Forenzikës ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me çështje e reagjentëve kimik i cili ishte gjetur në këto para.
Apelit në vendimin e tyre ka thënë po ashtu se Themelorja drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësorë është arritur të vërtetohet se të akuzuarit Nika janë kryes të veprave penale për të cilat janë shpallur fajtorë.
Sipas kolegjit të Apelit, i akuzuari Bedri Nika ka pranuar faktin se bankënotat vëreheshin me sy të lirë si të dëmtuara, dhe si rrjedhojë mund të konkludohet se ka pasur dijeni se paratë kanë qenë të prekura me reagjent kimik.
Kurse sa i përket lartësisë së dënimit, Apeli ka gjetur se matja e dënimit nga Themelorja është i drejtë dhe i ligjshëm të cilin Apeli e pranon.
Sipas aktakuzës së ngritur më 20 dhjetor 2021, Bedri Nika nga 21 shkurti e deri më 11 mars 2021, kishte siguruar para të gatshme 118 bankënota në vlerë 50 euro, në shumë totale prej 5 mijë e 900 euro nga një burim i panjohur, e më pas të njëjtat para të dëmtuara nga një reagjent kimik, ua kishte dhënë të akuzuarit-nipit të tij Albian Nika dhe vajzës së tij Erstina Nika, për t’i deponuar në llogaritë e tyre në “NLB Bank”, në Drenas.
Sipas aktakuzës, këto para pasi i kishin deponuar në llogaritë e tyre bankare, i kishin tërhequr në bankomate të tjera në shumë të njëjtë, ndërsa kishin tërhequr para të tjera të padëmtuara dhe të njëjtat ia kishin dorëzuar të akuzuarit Bedri Nika, duke tentuar të mashtrojnë bankën dhe të maskojnë origjinën e vërtetët të parave.
Me këto veprime, thuhet se të dëmtuarës “NLB Bank” në Drenas i kishin shkaktuar dëm material në vlerën e parave të deponuara dhe të tërhequra, ndërsa për vete kishin realizuar dobi pasurore të kundërligjshme.
Në aktakuzë thuhet se gjatë kontrollit të shtëpisë, të akuzuarit Bedri Nika i janë gjetur dhe sekuestruar 3 bankënota në vlerë 50 euro (gjithsej 150 euro), të dëmtuara nga kontakti me reagjent kimik.
Për këto veprime, i akuzuari Bedri Nika ngarkohej me veprat penale “Blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale” dhe veprën penale “Pastrimi i parasë”, me të cilën vepër po ngarkohet edhe i akuzuari Albian Nika.


